Ministri austriak: Mekanizëm për përjashtim nga Euro

16/07/2012 00:00

Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger ka kërkuar nga Eurozona ngritjen e rregullave dhe strukturave që do të mundësonin përjashtimin e një vendi nga zona e monedhës së përbashkët në rast se ai vend nuk respektonte dhe zbatonte detyrimet e marra.

“Kemi nevojë për të gjetur një mjet që do të mundësonte përjashtimin e një vendi në Eurozonë, në mënyrë që rregullat të zbatohen njëlloj në të gjithë vendet e monedhës së përbashkët”, deklaroi ministri Spindelegger.

Në intervistën dhënë gazetës së përditshme, Kurier diplomati i lartë austriak sqaroi se sipas tij, një mekanizëm i tillë do të forconte tregjet dhe do të rriste besimin në to. Nisma sipas tij, gëzon mbështetjen e Gjermanisë, Holandës, Finlandës dhe Luksemburgut.

Ndërkohë, kancelarja gjermane ka mbrojtur politikat e Bankës Qendrore Europiane dhe vendimet e saj për t’i ardhur në ndihmë vendeve në nevojë financiare. Këto qendrime, këto politika ekonomike të BQE-së, tha Merkel, janë në të njëjtën linjë me qendrimet e Gjermanisë për tejkalimin e krizës.

Top Channel