Luftanija amerikane hap zjarr në ngushticën e Hormuzit

16/07/2012 21:15

Një luftanije amerikane hapi zjarr ndaj një mjeti lundrues në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, konfirmuan burime zyrtare mbrëmjen e së hënës.

“USNS Rappahannock” hapi zjarr pasi anija e qëlluar nuk mori parasysh paralajmërimet dhe iu afrua me shpejtësi luftanijes.

Nuk është i qartë bilanci i viktimave, ndonëse Abu Dhabi zyrtar informoi se një peshkatar indian ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë u plagosën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur dukshëm prezencën ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, pasi Irani kërcënoi se do ta mbyllte atë, në formë raprezalje ndaj sanksioneve të imponuara të naftës.

Marina amerikane informoi se incidenti është duke u hetuar. Në zonë, prej kohësh kanë qenë aktivë edhe piratët somalezë, ndonëse dinamika e ngjarjes bën të përjashtohet prezenca e tyre në këtë incident.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, të vendosur përballë ngushticës së Hormuzit dhe në gjendje që të mbyllë këtë rrugëkalimi jetik të naftës, nga e cila kalojnë 40% e eksporteve botërore të karburanteve.

Top Channel