Egjipt, Mubarak rikthehet në burg

16/07/2012 15:30

Ish-Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, do të rikthehet menjëherë në burg, pasi gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar.

Lajmi u raportua të hënën nga mediat vendase, të cilat iu referuan një deklarate të kryeprokuorit të vendit.

84-vjeçari Mubarak u lejua të kurohej në një spital të specializuar më parë gjatë qershorit, pasi gjendja e tij shëndetësore shfaqi një përkeqësim të dukshëm.

Gjatë kësaj periudhe, Mubarak pësoi një seri ndalesash kardiake dhe pati nevojë për një aparaturë që luante rolin e zemrës dhe mushkërive për të mbijetuar. Megjithatë, disa raporte se ai kishte kaluar në vdekje klinike u mohuan më pas.

Në qershor, njeriu që udhëhoqi Egjiptin me dorë të hekurt për 32 vjet me radhë u dënua me burgim të përjetshëm, për rolin e pasur në shtypjen e dhunshme të protestave kundër regjimit të tij në janar-shkurt 2011, veprim që i kushtoi jetën qindra qytetarëve.

Top Channel