Një bos serb i krimit ka vendosur një shpërblim të majmë për këdo që do të eleminojë dy nga emrat më të njohur të politikës serbe, Boris Tadiç dhe Ivica Daçiç.

Lajmin e bën të ditur gazeta serbe “Press”, sipas të cilës ky informacion i ka ardhur shërbimeve sekrete serbe nga homologët evropianë.

Sipas gazetës, bosi Darko Sariç ka vendosur 10 milionë euro shpërblim për vrasjen e dy politikanëve, të cilët i konsideron përgjegjës për shkatërrimin e perandorisë së tij të drogës.

Sariç, i cili aktualisht jeton në arrati, deri para pak kohësh konsiderohej si një nga furnizuesit kryesorë të Evropës me kokainë.

Pak vite më parë agjenci të ndryshme policore sekuestruan pothuajse dy tonelata drogë që grupi i tij do t’i transferonte nga Argjentina në Evropë.

Gjithashtu, në media është përfolur edhe për lidhjen e Sariç me ish-kryeministrin malazez Milo Gjukanoviç, i cili thuhet se e ka ndihmuar të depozitojë paratë e drogës në bankat malazeze.

Top Channel