Siri, sulmi në Tremseh, ndaj rebelëve

15/07/2012 00:00

Sulmet qeveritare në fshatin sirian të Tremseh kanë pasur si objektiv shtëpitë e rebelëve dhe aktivistëve. Këtë gjë e ka bërë të ditur misioni i Kombeve të Bashkuara në Siri.

Në sulmin ndaj fshtatit Tremseh ditën e premte u përdor artileria e rëndë, përfshirë mortajat, dhe rreth 200 persona humbën jetën.


Një zëdhënës i OKB-së theksoi në një komunikatë, pas vizitës së inspektorëve në fshat, se nuk kemi të bëjmë me një masakër civilësh, por janë sulmuar “çerdhet” e rebelëve dhe terroristëve.

Sulmi ndaj Tremseh ka shkaktuar reagimin e komunitetit ndërkombëtar, por qeveria siriane këmbëngul se bëhej fjalë për një operacion ushtarak kundër rebelëve.

Qeveria thekson se e ndërmori operacionin pas informatave nga banorët e zonës për një numër të madh rebelësh të armatosur që fshiheshin në Tremseh.

Kofi Annan, i dërguari special për Sirinë, deklaroi se ishte i “shokuar” nga lajmi i këtij sulmi të përgjakshëm, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, theksoi se ky sulm e rrethon me dyshime përkushtimin për paqe të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

Annan sërish në Moskë

I dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Koffi Annan vijon përpjekjet e tij për të bindur Moskën që të ndryshojë qendrim në lidhje me situatën në Siri.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të mbërrijë në Moskë më 16korrik. Më 17 korrik pritet një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin mbi planin e paqes në Siri.

Lajmi njoftohet nga vetë Kremlini ku përcaktohet edhe axhenda e takimeve. Më 16 Annan do të zhvillojë një takim me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndërsa një ditë më pas do të jetë takimi me Putin.

“Objektivi i bisedimeve në këto takime është të sigurojmë mbështetjen e Rusisë për planin e paqes së Annan për një zgjidhje politike dhe demokratike, pa ndërhyrja nga jashtë të krizës në Siri”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Top Channel