Siri, vëzhguesit e OKB mbërrijnë në Tremseh

14/07/2012 18:40

Vëzhguesit e parë të OKB-së kanë mbërritur në fshatin Tremseh, në Siri, skenë e masakrës së dy ditëve më parë.

Lajmin e bëjnë të ditur komitetet lokale të koordinimit, të drejtuar nga opozita, të cilët sqarojnë se vëzhguesit shoqërohen nga trupat qeveritare.

Ndërkohë, sekretari i Ligës Arabe, Nabil el Araby ka dënuar duke e cilësuar “një krim të rëndë” masakrën në Tremseh, duke vlerësuar se, si në rastin e masakrës së Hulës, bëhet fjalë për një spastrim etnik.

Në një deklaratë për shtyp të Ligës, El Araby ka thënë se përgjegjësia për këtë krim bie mbi regjimin sirian, që përdor armë të rënda për të sulmuar civilët.

Zyrtari arab i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të miratojë sa më parë një rezolutë që të detyrojë Damaskun të ndalojë aktet e dhunës.

Ndërkohë, sipas aktivistëve të opozitës, gjatë ditës së shtunë në Siri janë vrarë 22 persona, 6 prej të cilëve kanë humbur jetën nga shpërthimi i një bombe ndaj një kompleksi ushtarak në Mahrada, në provincën e Hamas.

Ndërkohë, 7 të tjerë numërohen në Duma, 15 kilometra nga Damasku, dhe shtatë të tjerë në Homs, ku janë bombarduar lagjet Khalidija dhe Jorat al Shajah.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA