SHBA, kërcënoi Obamën, 15 vjet burg

14/07/2012 15:40

Një emigrant uzbek në Alabama është dënuar me 15 vjet burg pasi kërcënoi se do të vriste presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Ulugbek Kodirov, 22 vjeç, ishte arrestuar më 13 korrikun e vitit të kaluar në një motel të Alabamës, teksa përpiqej të blinte armë për të tentuar vrasjen e presidentit amerikan.

Por, një agjent sekret që punonte si i infiltruar mundësoi arrestimin e tij në flagrancë, bëjnë të ditur mediat amerikane. Fillimisht të riut iu dhanë 30 vjet burg, por gjyqtari Abdul Kallon e përgjysmoi dënimin duke e bërë 15 vjet.

Gjatë shpalljes së dënimit, avokati i Kodirov kundërshtoi duke thënë se klienti i tij kishte pranuar përgjegjësinë e veprimeve dhe po përpiqej të ndryshonte jetën e tij.

Në korrik të vitit 2011, djali nga Uzbekistani vendosi komunikime me dikë që njihej si “emiri”, dhe që besohet se ishte një anëtar i Lëvizjes Islamike të Uzbekistanit.

Grupi në fjalë është konsideruar si organizatë terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit. Kodirov dhe “emiri” diskutuan mënyrat se si presidenti mund të vritej, përfshirë këtu mundësinë e përdorimit të një snajperi në distancë të largët.

Por 22-vjeçari e refuzoi këtë opsion, pasi mendoi se një snajper do të ishte shumë i kushtueshëm dhe ai nuk ishte i stërvitur për të përdorur një pushkë të tillë. Në vend të kësaj ai zgjodhi ta qëllonte presidentin nga një distancë e afërt.

Top Channel