
Kerry Kennedy, e bija e Robert Kennedy, është arrestuar të premten pasi u përfshi në një aksident rrugor në veri të Nju Jorkut.
Lajmin e ka bërë të ditur policia, sipas të cilës ish-bashkëshortja e guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, u arrestua nën akuzën e drejtimit në gjendje të droguar.
Makina e drejtuar nga 52-vjeçarja përplasi një automjet tjetër të përmasave më të mëdha në një autostradë në kontenë Uestçester dhe pavarëisht kësaj, vazhdoi rrugën me shpejtësi.
Kerry Kennedy u gjet më vonë në makinën e saj në dalje të autostradës, pak momente pas aksidentit.
Policia i bëri asaj kontrollin rutinë, nga i cili rezultoi se gruaja udhëtonte me aftësi mendore të reduktuara për shkak të drogës.
Ndërkohë, Fondacioni Robert Kennedy me bazë në Evropë, që ka si presidente pikërisht Kerry-n, ka reaguar ndaj ngjarjes duke dhënë një tjetër version.
“Kerry Kennedy nuk ishte nën efektin e alkoolit dhe të asnjë substance narkotike. Këtë e kanë konfirmuar testet të cilave ajo iu nënshtrua me vullnetin e saj”, ka deklaruar fondacioni.
Sipas një komunikate për shtyp, policia e ka shpërndarë komunikatën e saj para se të njihej me rezultatet e testeve dhe duke dhënë për rrjedhojë përfundime të parakohshme e të gabuara.
“Presidentja jonë ka pasur një rënie të tensionit teksa shkonte me makinë në palestër. Kemi folur në telefon me të dhe na ka garantuar për versionin e saktë të ngjarjeve”, thotë më tej fondacioni.
Top Channel