Përmbytjet, japonezët braktisin shtëpitë

14/07/2012 16:25

Rreth 250 mijë persona janë urdhëruar të braktisin shtëpitë e tyre për të shmangur përmbytjet nga shirat e rrëmbyshme në jug-perëndim të Japonisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në ishullin jugor Kjushu kanë shkaktuar të paktën 20 të vdekur në tre ditët e fundit.

Pamje televizive kanë treguar ujërat e përziera me baltë që kalonin nëpër shtëpi dhe rrugë, pasi lumenjtë ishin tejmbushur dhe kishin dalë nga shtrati.

Agjencia Meteorologjike Japoneze ka paralajmëruar për shira të mëtejshme dhe për rrjedhojë edhe rrëshqitje të reja toke.

Të paktën shtatë persona u shpallën të humbur ditën e premte, për gjetjen e të cilëve në zonat e përmbytura u dërguan trupat ushtarake.

Mbi 75 centimetra shi ra në 72 orë në qytetin e Asos, në prefekturën e Kumamotos, deklaruan autoritetet japoneze, të cituara nga agjencia e lajmeve “AFP”.

Urdhëri për evakuim ka prekur 85 mijë banorë në prefekturat Fukuoka, Saga, Kumamoto dhe Oita, ka saktësuar ndërkohë agjencia e lajmeve “KyodoNews”.

Vetëm në prefekturën e Fukuokës, rreth 190 mijë persona nga 65 mijë banesa morën urdhërin për të braktisur zonën, përfshirë këtu qytetet Janagaua, Jame dhe Mijama.

Top Channel