Komisioni Kuvendor për Reformën Zgjedhore ishte formuar me rezolutë të Kuvendit pas marrëveshjes politike Thaçi–Mustafa–Pacolli. Sipas marrëveshjes zgjedhjes presidenciale duhet të mbahen gjatë vitit 2012, pas reformës kushtetuese, ndërsa ato parlamentare në vjeshtën e vitit 2013, pas reformës zgjedhore.

Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se presidentja aktuale Atifete Jahjaga ka mandat deri në vitin 2016. Pavarësisht se ky vendim nuk prek drejtpërdrejtë Komisionin për Reformë Zgjedhore që e drejton deputeti i LDK-së, Haki Demolli, megjithëatë sipas tij, vendimi i Kushtetueses ndikon në punën e këtij komisioni.

Ai thotë se reforma zgjedhore duhet të vazhdojë dhe takimet e radhës do të caktohen në mes të gushtit, kur deputetët të kthehen nga pushimet.

Haki Demolli, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Reformë Zgjedhore:

“Mund të them se në një farë forme afekton edhe vetë vendimi i tillë në punën tonë. Por pavarësisht prej kësaj jam i mendimit që procesi zgjedhor do të vazhdojë edhe më tutje. Ne si Komision do të caktojmë takimet e radhës me t’u kthyer nga pushieti diku nga data 15-16 gusht ne do të vazhdojmë me punën tonë”.

 Sipas Demollit, puna do të vazhdojë deri në marrjen e ndonjë vendimi politik nga ndonjë subjekt politik, i cili mund të jetë i paknaqur me marrëveshjen.

Haki Demolli, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Reformë Zgjedhore:

“Ne deri në marrjen e një vendimi eventual politik nga cilido subjekt politik që mund të jetë i paknaqur me marrëveshjen (pakon e marrëveshjes në përgjithësi) ne do të vazhdojmë me punën tonë”.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të veprojnë partitë politike që kanë kërkuar të respektohet marrëveshja politike e arritur në prill të 2011-ës, ndërmjet liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa, dhe Behgjet Pacollit të AKR-së.

Deri tani, kryeministri dhe njëherësh lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se mandati i presidentes Atifete Jahjaga është 5 vjeçar.Në anën tjetër, LDK dhe AKR kanë kërkuar që marrëveshja të respektohet dhe që zgjedhjet presidenciale të mbahen ashtu siç është paraparë.

Top Channel