Rikthimi i Berluskonit përçan Italinë

13/07/2012 00:00

Ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni do t`i rikthehet politikës dhe vendimin e tij pritet ta bëjë publik së shpejti. Kavaljeri disa herë ka lënë të kuptohet se e planifikonte një gjë të tillë, mes ankesave të vazhdueshme për politikat e ashpra anti-krizë të pasardhësit Mario Monti apo reflektimeve mbi mundësinë e daljes së Italisë nga zona e Euros.

Një figurë dominuese për gati 20 vjet në skenën politike italiane, Berluskoni e ka përcarë opinionin si rrallë kush, duke ndjekur interesat e vendit mes betejave ndaj një serie të vazhdueshme skandalesh korrupsioni e seksi.

Për një pjesë të italianëve, pikërisht këto skandale ishin arsyeja përse vendosën të mos e mbështesin me ish-kreun e ekzekutivit.
“Unë kam qenë një admirues i Berluskonit, por pas gjithë atyre cfarë ka bërë, festave, vajzave, pagesave, të gjitha këto janë të neveritshme. Më mirë të mos rikthehet më”, thotë një banor i Romës.

Titujt e shumë gazetave sot flisnin për rikthimin e Silvio Berluskonit. “Më pak taksa, një Europë më e fortë, Kavaljeri rikthehet tek Forza Italia”, shkruante njëri prej tyre. Një tjetër banor i Romës, mendon se Berluskoni nuk ka më çfarë t’i ofrojë Italisë.

Për analistët, rikthimi i Berluskonit mund të shkaktonte kaos në sektorin financiar. Tregjet janë mjaft të ndjeshme ndaj perspektivës së një ngërçi politik që do bllokonte reformat ekonomike pas largimit të Montit vitin që vjen.

Moody`s ndërkohë uli nivelin e besueshmerisë së kreditimit për Italinë nga A3 në BAA2, apo dy shkallë mbi statusin “junk” (xhank), më i ulëti në klasifikim.

Lëvizja rriti shqetësimet e një infektimi të mundshëm nga Spanja e Greqia, uli vlerën e aksioneve bankare italiane dhe e mbajti Euron në nivelin më të ulët të këmbimit kundrejt dollarit.

Top Channel