Plot 258 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuane janë konfiskuar
nga policia e Kosovës. Shtatë persona janë arrestuar, në mesin e tyre 5
shqiptarë të Kosovës dhe 2 serbë.

Përveç substancës narkotike janë gjetur edhe 7 armë të llojeve të ndryshme. Sasia e rreth 258 kilogramëve marijuanë është sekuestruar në pikën kufitare në Merdare.

Vetëm për 10 ditët e fundit më shumë se 600 kilogramë marijuanë janë konfiskuar dhe janë arrestuar një numër i madh i rrjetit të krimit të organizuar.

“Këtij operacioni i ka paraprirë një punë hetimore dhe operative nga Drejtoria e Trafikimit me Narkotik, një rimorkio e ngarkuar me një ekskavator i kamufluar mbi ekskavatorin e gomave është fshehur sasia prej 258 kilogramëve”, tha Bahri Shala, kapiten i policisë.  

Sipas ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi këto shifra do t’i jepen edhe Komisionit Evropian për Punë të Brendshme, në mënyrë që të jenë të informuar me luftimin e krimin e organizuar në Kosovë.

“Duhet të përcillen në statistika ditore e javore në Komisioni Evropian Punë të Brendshme dhe Zgjerim, në mënyrë që ata që merren me këtë procese të kenë argumentet e plota dhe të ndihmojnë që procesi i liberalizimit të vizave të jetë sa më i shkurter dhe më i shpejte, të arrijmë atë qëllim që ne e kemi”, tha Rexhepi.

Gjatë vitit 2012 janë arritur që të konfiskohen 1000 kilogramë e marijuanë 835 gramë marijuanë, 51 kilogramë heroinë dhe 4 kilogramë kokainë.

Top Channel