Siria, gjenerali dezertor, kontakte me opozitën

12/07/2012 21:10

Manaf Tlas, një gjeneral sirian që u largua nga vendi javën e kaluar, është vënë në kontakt me anëtarë të opozitës, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm francez.

Laurent Fabius tha për gazetarët se janë vendosur kontaktet, por nuk dha detaje të tjera mbi to.

Ai tha se nuk mund të konfirmonte lajmet se Tlas, një ish-bashkëpunëtor i afërt i presidentit sirian Bashar al Assad, ndodhet në Francë.

Njoftimi vjen pak ditë pas dezertimit të Nawaf Fares, që ka shërbyer si ambasador i Sirisë në Irak. Autoritetet irakene kanë deklaruar se zoti Fares, i cili shprehu hapur mbështetjen për opozitën, ndodhet në Katar.

Ndërkohë, po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, që sipas aktivistëve u ka marrë jetën 16 mijë personave.

Gjenerali i brigadës, Tlas, i biri i një ish-ministri të Mbrojtjes, nuk ka folur ende në publik që kur la Sirinë. Duke folur për gazetarët ditën e enjte, ministri Fabius tha se, ka afërsi mes opozitës siriane dhe gjeneralit.

Javën e kaluar doli lajmi se oficeri Tlas ishte arratisur nga Siria përmes Turqisë, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë regjimit të Assad.

Top Channel