SHBA-Kinë, bashkë për çështjet e Azisë

12/07/2012 16:20

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe homologu i saj kinez, Yang Jiechi kanë deklaruar se vendet e tyre do të bashkëpunojnë për çështjet e Azisë.

Ata u takuan gjatë zhvillimit të forumit aziatik në kryeqytetin e Kamboxhias, Fnom Pen, ku është diskutuar mbi tensionet rajonale.

Përplasja mes Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e disa ishujve në lindje të Detit të Kinës ishte një nga çështjet e diskutuara.

Ndërkohë, vendet aziatike po presin një marrëveshje me Kinën për një kod sjelljeje për çështjen e pjesës jugore të Detit të Kinës, që konsiderohet i pasur me naftë.

Zonja Clinton theksoi se bashkëpunimi i Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për çështje të ndjeshme është me rëndësi.

“Jam e kënaqur që po dalim me një qëndrim të përbashkët. Është një sinjal i rëndësishëm që tregon se SHBA dhe Kina jo vetëm mund, por do të punojnë së bashku në Azi”, tha Clinton.

Ndërsa zoti Yang u tha gazetarëve se Kina është gati të zgjerojë dialogun me Shtetet e Bashkuara dhe që dy vendet të “zgjerojnë terrenin e përbashkët”.

“Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë vazhduar të shënojnë progres gjatë këtij viti”, tha shefi i diplomacisë kineze.

Ministrat e Jashtëm të bllokut 10-vendësh janë takuar në kryeqytetin e Kamboxhias, bashkë me homologë të vendeve të tjera të rajonit si Kina, Shtetet e Bashkuara dhe shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Top Channel