
Në emër të aleatëve të PS, Paskal Milo kreu PDS ka artikuluar pakënaqësi
për kompromisin e dhënë nga PS një ditë më parë për Reformën Zgjedhore.
“Një zgjidhje e ngutshme, e dëmshme, që deformon Kushtetutën dhe nuk lejon vullnetin e lirë të zgjedhësve”. Kështu e ka komentuar Milo dakortësinë e gjetur mes PD dhe PS.
“Për fat të keq Partia Socialiste hoqi dorë nga këmbëngulja e saj për të garantuar identifikimin elektronik të zgjedhësve në të 12 qarqet e Shqipërisë duke e reduktuar atë vetëm në 1 qark, po kështu edhe për numërimin elektronik.Ne po e ndjejmë që është duke u përgatitur një komplot tjetër kundra zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por shprehim në të njëjtën kohë edhe pezmatimin dhe pakënaqësinë tonë që PS nuk arriti t’u qëndrojë vendimeve të saj dhe të opozitës për të garantuar një infrastrukturë zgjedhore, me një proces administrimi zgjedhor, që do të conte në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Milo.
Duke komentuar nenin për rifomatimin e KQZ-së, Paskal Milo mendon se PS gaboi, pasi PD përsëri do të ketë njeriun e saj në krye të KQZ-së.
“Është një makiazh që po i bëhet disa neneve të Kodit Zgjedhor që i jep maxhorancës në pushtet avantazhe të padiskutueshme, duke i garantuar përsëri që të zgjedhë ajo kryetarin e KQZ-së përmes disa procedurave në dukje demokratike e transparente, por në fakt të kontrolllueshme nga PD”, tha Milo.
Paskal Milo i lë të hapura opsionet për të qenë përsëri pjesë e koalicionit të majtë me PS në zgjedhjet e 2013-tës.
“Opsionet nuk mungojnë. Ato do të shqyrtohen në momentin e duhur në kohën e duhur, kur ne të kemi ezauruar takimin, bisedimet me PS. Në rast se nuk do të gjendet një formulë bashkëpunimi me PS, ne do të mund të mendojmë dhe do të mendojmë për alternativa të tjera bashkëpunimi gjithnjë brenda kampit opozitar”, tha Milo.
AK, proteste para kuvendit
Edhe Aleanca Kuqëzi kundërshtoi marrveshjen politkike PD-PS për kodin zgjedhor.Aktivistë të AK protestuan përpara Kuvendit të Shqipërisë duke kritikuar liderin e opozitës Rama, për të cilin u shprehën se kryeministri Berisha është duke e gënjyer përsëri.
Gjithashtu nuk munguan kritikat për mënyrën e qeverisjes së sotme në Shqipëri për të cilën AK mendon se i përngjet një qeverie kolumbiane në mes të Europës. Sakaq AK thotë se jo më larg se dje PD dhe PS na vërtetuan sërish se janë të gatshme të krijojnë koalicionin e tmerrit mes tyre vetëm e vetëm për të mbajtur një karrige me rrota në zyrat e shtetit të kalbur pikërisht prej marrëveshjeve të fshehta mes tyre.
AK ka bërë thirrje se ka ardhur “koha për ndëshkim”, koha për të larguar njëherë e përgjithmonë nga sytë e shqiptarëve portretet e hajdutëve, të korruptuarve, diktatorët e rinj të Evropës, që për pushtetin kanë vrarë dhe do të vrasin vëllezërit tanë shqiptarë.
Top Channel