Ish-kreu i trupave serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiç, që po gjykohet në Hagë për krime lufte, është dërguar në spital pasi u ankua se ndihej keq.

Një zyrtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krimet në ish-Jugosllavi tha se dërgimi i të pandehurit në spital ishte një “masë paraprake”.

Gjenerali Mlladiç përballet me 11 akuza mes të cilave ajo për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por nga ana e tij ish-oficeri 70-vjeçar i mohon të gjitha ato.

Akuzat në fjalë kanë të bëjnë kryesisht me masakrën e Srebrenicës, ngjarje që vetëm të mërkurën shënoi 17-vjetorin e saj.

Sipas një zëdhënëseje të Hagës, gjenerali Mlladiç tha se ndihej keq dhe pasi u kontrollua nga një infermiere u dërgua në spital. Seanca gjyqësore do të vazhdojë ditën e premte nëse ai do të jetë në gjendje të mirë, ka thënë zëdhënësja.

Gjendja shëndetësore e ish-gjeneralit ka qenë në qendër të vëmendjes që kur në Hagë nisi proçesi ndaj tij dhe shpesh herë gjyqi është ndërprerë për shkak të saj.

Gjykata pret që ai të mos vdesë përpara fundit të gjyqit, që u ndërpre në muajin maj për shkak të disa parregullësive të prokurorisë, por këtë javë filluan dëshmitë e para.

Top Channel