
Trojka e ambasadorëve zhvilloi një takim të mërkurën në Presidencë me kreun e shtetit shqiptar Bamir Topi.
Gjatë takimit të Topit me ambasadorin amerikan Aleksander Arvizu, kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, u diskutua për situatën politike në vend duke nënvizuar domosdoshmërinë e gjetjes së vullnetit të duhur dhe dialogut kontruktiv nga klasa politike për të kaluar nga fjalët në vepra për kryerjen në kohën e reformave të nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian siç janë reforma zgjedhore, gjyqësore dhe ajo parlamentare si dhe heqja e imuniteteve.
“Realizimi me sukses i këtyre reformave do të ishte jetik dhe tepër i rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve, për ndarjen dhe ekuilibrimin e pushteteve, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si dhe për vetë të ardhmen integruese të Shqipërisë”, mësohet të ketë deklaruar Presidenti Topi.
Sipas njoftimit të Presidencës, Topi është takuar edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nikolas Kanon. Ky i fundit vlerësoi kontributin pozitiv dhe moderator si dhe rolin e rëndësishëm të Presidentit Topi gjatë mandatit të tij presidencial në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve si dhe në mbrojtje e forcim të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetues.
Top Channel