Mbi 500 trupa të pajetë, të identifikuar së fundmi si viktima të masakrës së Srebrenicës, janë varrosur të mërkurën në 17-vjetorin e masakrës.

Mijëra persona, shumica e të cilëve të afërm të viktimave, kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore në qendrën përkujtimore të Potokarit.

Rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë mbetën të vrarë pasi qyteti u pushtua nga forcat serbo-boshnjake në korrik të vitit 1995.

Masakra e tmerrshme është njohur si genocid nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës. Ajo ka qenë ngjarja më e rëndë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Rreth 30 mijë persona kanë marrë pjesë në varrimin e 520 vetëve. Arkivolët e tyre, të mbuluar nga mbulesa jeshile, mbajnë mbetjet trupore të viktimave të identifikuara së fundmi, pasi u zhvarrosën nga një varr masiv i largët.

Trupat serbo-boshnjake ishin përpjekur të fshihnin shkallën e vrasjeve duke fshehur trupat në varre masive dhe duke i hedhur ata në të ashtuquajturat “varreza sekondare”.

Rreth 7 mijë viktima janë identifikuar deri më sot, por kërkimet po vazhdojnë ende. Mes atyre që janë varrosur të mërkurën janë edhe 48 adoleshentë.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti amerikan Barack Obama, i cili ka dënuar tentativat për të mohuar genocidin në Srebrenicë.

Ai gjithashtu ka shprehur vlerësimin e tij për faktin se dy përgjegjësit kryesorë të masakrës, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç po gjykohen në gjykatën e Hagës.

“Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo tentativë për të reduktuar përmasat e atij krimi, për ta justifikuar atë, për të fajësuar viktimat dhe për të mohuar një fakt të padiskutueshëm se ai krim ishte një genocid”, ka thënë Obama.

Vetëm pak kohë më parë, presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç deklaroi se masakra e Srebrenicës nuk ishte genocid, por vetëm “një krim i tmerrshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA