
Lufta politike është po aq e ashpër sa në Tiranë edhe në një nga komunat më të thella të vendit, siç është Lura ku një pjesë e madhe e banorëve e varin mbijetesën e tyre tek ndihma ekonomike që marrin nga shteti. Hasan Hoti është zgjedhur kryetar i Këshillit Komunal, por nuk njihet nga kryetari i Komunës dhe kjo mjafton që Lura të imitojë politikën e madhe të Tiranës.
“Jam zgjedhur prej datës 11 maj 2012. Kryetari i Komunës bashkë me 6 këshilltarë dhe sekretarin e Këshillit të Komunës, nuk na dorëzojnë projektet e ndihmës ekonomike, nuk na njohin si këshilltarë, nuk na hapin zyrën e këshillit për të zhvilluar mbledhjet, nuk na lënë as në ambientet shkollore për të zhvilluar mbledhjet”, thotë Hasan Hoti, kreu i Këshillit të Komunës Lurë.
Këshilli i Komunës është i ndarë në dy pjesë, 7 anëtarë mblidhen në lëndinë ndërsa 6 të tjerët mblidhen në zyrat e komunës. Këshilli që njeh për kryetar zotin Hoti plotëson kuorimin por nuk mund të kryejë asnjë funksion.
Dali Gjoçi është pjesë e Aleancës për Qytetarin, por pas konflikteve që kishte kryetari i vjetër vendosi të mbështesë kandidatin Hoti për kryetar Këshilli. Në shtatëshen që përbën kuorumin e nevojshëm, 4 anëtarë janë të koalicionit mazhoritar.
“Ne vendosëm që ta shpërbëjmë kryesinë e Këshillit dhe zgjodhëm kryesinë e re. Këshilli ynë përbëhet nga 13 veta, ne jemi 7 veta nga katër forca politike. Nuk ka drejtësi, nuk ka Kushtetutë sepse ne kemi zbatuar ligjin”, thotë anëtari i Këshillit, Dali Gjoçi.
Pas shumë përpjekjeve për të zgjidhur ngërçin me mirëkuptim, tashmë duket se kriza është e pazgjidhshme edhe për prefekturën.
“Me familjet që duhet të marrin asistencën sociale kemi cdo ditë probleme. Na dalin në rrugë edhe na thonë që na latë pa lek, nuk kemi ca të marrim. Asistenca u mungon prej 3 muajsh. Dy muaj kanë miratuar lista të jashtëligjshme, ka persona që nuk u takon asistencë, ka edhe zyrtarë të komunës. Janë rreth 100 familje që kanë nevojë për asistencë, por që nuk e marrin atë”, thotë zoti Hoti.
Koston e këtij konflikti politik deri në absurd e paguajnë njerëzit më të varfër të këtij vendi. Pas ankesave të qytetarëve, Top Channel tentoi të merrte pjesë në mbledhjen e këshillit të komunës, por nuk u lejua të futej apo të merrte intervista nga zoti Haki Gjokola, kryetar i Komunës. Gjatë mbledhjes nuk munguan tonet e ndezura dhe përplasjet e ashpra verbale, brenda dhe jashtë ambienteve të komunës.
Top Channel