Tragjedi në Mesdhe, vdesin 54 refugjatë

10/07/2012 00:00

Rikthehen tragjeditë në përpjekjet e mijëra refugjatëve afrikano-veriorë për të mbërritur në brigjet italiane. Të paktën 54 persona kanë gjetur vdekjen në përpjekje për t’u larguar nga vendi i tyre e në kërkim të një jete më të mirë.

Lajmi konfirmohet nga organizmi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR. Sipas UNHCR në varkën e nisur nga brigjet libiane kanë qenë 55 persona, pjesa më e madhe të të cilëve nga Eritrea. 54 prej tyre kanë gjetur vdekjen dhe vetëm njëri ka mundur t’i shpëtojë kalvarit të mundimeve. Ky i fundit është shndërruar në të mbijetuarin dhe dëshmitarin e vetëm të tragjedisë. Pjesa më e madhe e refugjatëve kanë gjetur vdekjen si pasojë e dehidratimit dhe mungesës së ushqimit.

Ai rrëfeu për UNHCR se si kishte humbur bashkë-udhëtarët e tij një e nga një në odisenë e udhëtimit 15-ditor nëpër Mesdhe drejt brigjeve italiane. I mbijetuari u shpëtua nga roja bregdetare tuniziane mbrëmjen e ditës së hënë. Ai u transportua menjëherë në spital dhe pasi mblodhi energjitë e humbura rrëfeu gjithë historinë.  

I mbijetuari tregoi se si pas një dite udhëtimi kishin parë brigjet italiane, por më pas era dhe rrymat detare u kishin ndryshuar kursin e drejtimit të gomones pa motor. Pas pak ditësh, gomonia nisi të shfryhej dhe në bord nuk kishte mbetur më ujë i pijshëm. Pak nga pak njerëzit në bord nisën të dehidratohen dhe shenjat e para ishin humbjet e ndjenjave. Më pas, thotë ai, kuptuam se disa persona kishin vdekur dhe sa më shumë kalonin orët, të tjerë persona vdisnin.

Shtetasi eritreas thotë se nuk i mbante mend mirë ditët e fundit të udhëtimit dhe se kishte humbur ndjenjat deri në momentin kur ishte gjetur nga roja bregdetare tuniziane.

Komisari i Lartë për të Drejtat e Refugjatëve në OKB, Alexander Aleinikoff tha se bëhej fjalë për një tragjedi të vërtetë dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve që patrullojnë në detin Mesdhe të bëjnë kujdes me varkat që bartin emigrantë klandestinë për të shmangur të tilla ndodhi.

Top Channel