FATOS BAXHAKU – Vetëm brenda pak orësh nga një njeri prej vërteti ajo u
shndërrua në dy iniciale: B.S. Pastaj u dha edhe mosha, 40 vjeç. Pastaj u
tha se ishte hedhur në të ngrysur nga një shkëmb pranë Currilave në
Durrës.
Dikujt madje, shkëmbi i ishte dukur i lartë, shumë i lartë. 200 metra raportoi një gazetar, gati sa pesë 15 kate a më tepër! Me këtë rast u përdor edhe termi interesant “u vetëhodh”. Më kot pritëm një ditë më pas për të mësuar ndonjë gjë më tepër për historinë e kësaj femre, që vendosi t’i japë fund jetës, duke u shndërruar në dy germa të brishta. Vetëm pakkush i kushtoi ndonjë radhë gazete. Duket sikur vetëvrasja e një femre nuk ka aq shumë rëndësi. Më me vlerë ishin sigurisht, KQZ-ja, mbledhja e LSI-së në një hotel në Greqinë Veriore, kriza greke, ndonjë aksident makine, ku i kalojnë pushimet VIP-at… Trishtim i madh, megjithatë ndoshta është normale kështu. Vetëvrasje ka pasur e do të ketë jetë e mot. Njerëzit edhe lodhen. Nganjëherë çastet e bukura të jetës të duken aq pak sa që dorëzohesh… Porse kjo femër e trishtë, gati-gati misterioze, që bredh në mugëtirë buzë detit një të diel pasdite, ndërsa dëgjohen ende të qeshurat e hareshme të plazhistëve, kjo figurë e pakapshme, të cilën të gjithë duan ta harrojnë dhe jo ta njohin, sepse na kujtoi edhe një herë diskutimet e pafund që janë bërë për gjendjen e femrës shqiptare sidomos në këto vitet e fundit.
Ca me dashje e ca me padashje për shqiptarët është krijuar ideja e një kombi maskilist. I një vendi ku femra ka qenë jetë e mot e nënshtruar dhe kokulur, një skllave më shumë në shtëpi dhe asgjë tjetër. Në fakt, nëse u kthehemi legjendave tona, duket se të parët tanë kanë pasur më shumë respekt për femrën sesa ndoshta vetë ne të epokës postmoderne. Le të kujtojmë disa figura tipike të admirimit që ka pasur shoqëria jonë e vjetër për figurën e femrës, si motër, si nënë, si grua. Konstandini Vogëlith dhe e motra janë kulmi i respektit mes motrës dhe vëllait në një familje mesjetare shqiptare. Legjenda e shkodranes Kaltrinë, vajzës që u vetëvra në ditën e saj të dasmës sapo mësoi se njeriu i saj i zemrës ishte ai, që i kishte vrarë të vëllanë e vetëm, është një rrëfim gati-gati homerik. Argjiroja dhe “argjirotë” e tjera anekënd vendit, gra që lëshoheshin në humnerë bashkë me foshnjat e tyre për të mos rënë në dorë të osmanlinjve, kanë qenë për breza e breza me radhë shembull i një respekti të parrëfyer për dinjitetin femëror. Ajkuna e shoqja e Mujit, është rasti i bashkëshortes, që jo vetëm se është e barabartë, por shpesh është edhe më e fortë se i shoqi i saj kreshnik. Mbase këtu bën përjashtim një legjendë me të cilin krenohemi fort dhe kemi hyrë në garë me fqinjët tanë sllavë se kush e kush e shpiku më i pari. Kjo është historia e Rozafës, nuses së re që u muros në themelet e kalasë së Shkodrës. Kjo në thelb është një histori pabesie mes vëllezërish, po nejse ky është një muhabet i gjatë. Në tërësinë e saj në letërsinë tonë gojore femra shqiptare është një figurë dinjitoze, e respektuar, asaj i merret gjithnjë mendim, atë nuk mund dhe nuk ke përse ta gënjesh, ajo vendos për gjërat më të rëndësishme, për jetën ose për vdekjen. Ajo është aq fisnike sa që askujt nuk i shkon mendja të ngrejë dorë mbi të. Megjithatë, asaj gjithnjë nuk i ndahet një hije trishtimi, një fat i keq i cili bën që historitë e saj të përfundojnë gjithnjë me zi. Mbase ka ndodhur kështu, sepse e tillë ishte jeta asokohe. Ose ndoshta vetë jeta bën që tragjeditë të rrënjosen më fort se sa hareja në mendjet e popullit. Sido që të jetë, të parëve tanë nuk kemi se si t’u mohojmë respektin e thellë për femrën si nënë, si motër, si grua. Për çfarë po ndodh tani nuk kemi të drejtë asesi t’i bëjmë ata me faj.
Shumë herë është bërë me faj Kanuni, nisur nga një fjali e cituar jashtë çdo konteksti: Femra asht shakull për me bajtë. Kritikët e zellshëm të Kanunit nuk shkonin ca më tej e të kuptonin se edhe burrat e qëmotshëm që jetuan në një vend pa shtet nuk e cenonin femrën, ajo nuk binte në gjak, mbi të nuk vihej dorë, ajo nuk cenohej kur shkonte rrugës, ajo ishte në fund të fundit e Zonja e Shtëpisë, ajo që mbante çelësat, pra ekonominë e shtëpisë. Kush e di se kush i mban çelësat sot në shtëpinë e kritikuesve të Kanunit. Në fund të fundit femra shqiptare e këtyre viteve e viseve ishte dinjitoze sa mund të ishte dinjitoze çdo qenie tjetër njerëzore në kushtet e një varfërie pa fund e pa anë.
Historia shumë shpesh bën shakara, me kripë sigurisht. E tillë është edhe historia e “emancipimit të femrës” shqiptare në kohën e komunizmit. Nën ndikimin e Lin Biaos dhe revolucionit kulturor kinez, Enver Hoxha, në 1967, me anë të fjalimit të tij “T’i djegim me zjarr e me hekur zakonet prapanike” nisi një vrull të madh. Ky aksion, që shkoi më pas deri në absurditetin e ndalimit të fesë, pati një anë të mirë. Shumë femra u shkëputën nga familjet, shumë të tjera nisën të zënë punë në ndërmarrjet e mëdha nëpër qytete ku jetohej në kolektiva të përbashkët me meshkuj të ardhur nga fe dhe krahina të ndryshme. Përse të mos e themi, shumë prej vajzave të ndrojtura fshatare u doli turpi nga seksi tjetër. Nisën të njohin mbrëmjet e vallëzimit, shoqërinë e djemve, jetën e përbashkët, dashurinë dhe respektin, deri-diku, sigurisht. Shumë prej tyre kishin një rrogë, gjë që i bënte të ndiheshin të pavarura.
Sot, për fatin tonë të mirë, kemi shumë OJQ që mbrojnë të drejtat e femrave. Ka ende shumë e shumë probleme për t’u zgjidhur, probleme mentaliteti, kulturore, shkollimi, gjendjeje ekonomike. Nganjëherë këto shoqata protestojnë aq fort sa që të gjithë meshkujt e ndjejnë veten si të zënë në faj. E ndoshta ndonjërit edhe i ka vajtur mendja të ngrejë ndonjë shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të meshkujve. Megjithatë OJQ-të bëjnë mirë, sa më shumë të flitet, sa më shumë njerëz që dënojnë dhunën, jo vetëm ndaj femrave, që të ketë, aq më mirë i bëhet vendit, aq më shumë horrat e xhahilët do ta ndjejnë veten vetëm e të izoluar.
Problemi fillon të ngatërrohet kur në këtë mes nis të luajë edhe politika. Kjo kujtohet për femrat sa herë që afrohen fushata elektorale. Jo vetëm që i diferencon dukshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë, pra nga ne meshkujt e shkretë, por edhe i trumbeton ato sikur të jenë një minorancë që është shfrytëzuar deri në palcë, që ka vuajtur sa më s’ka, që meriton ku e ku më shumë se sa ka sot, etj… Më një fjalë në pragfushatash zgjedhore lum kush është femër. Vetëm pak ditë më parë, njëri prej dy liderëve tanë kryesorë, duke i folur një salle të madhe mbushur plot me femra tha pak a shumë kështu: Të gjitha ato gabime që janë bërë deri më tani janë bërë nga ne, meshkujt, të gjitha gjërat që do të përmirësohen në të ardhmen do të realizohen nga ju, femrat! Në qoftë shaka, atëherë kjo shprehje është fort e goditur. Në qoftë një kompliment galant, atëherë këtë do ta kishte zili çdo francez. Vetëm se nëse e ka pasur me gjithë mend, atëherë Shqipëria duhet të quhet “Republika e Amazonave” dhe jo “Republika e Shqipërisë”.
Ka një gjë që edhe politikës edhe OJQ-ve nuk u vjen edhe aq për shtat ta thonë. Gjendja e femrës, sikurse edhe ajo e meshkujve, përmirësohet në një vend që rritet përditë ekonomikisht, kulturalisht, mendërisht. Në një familje të mbarë nuk ka arsye që bashkëshorti të ngrejë duart mbi gruan e tij, veç në qoftë i çmendur për t’u lidhur. Në një shtet normal, mundësitë e një vajze për t’u trafikuar si prostitutë janë shumë të pakta. Në një vend të begatë jetojnë po aq mirë si meshkujt edhe femrat. Në një vend që vlerëson të parat vlerat individuale dhe jo seksin, pakkush pyet nëse je burrë apo grua.
Në fund u duhet bërë një kërkesë politikanëve. Mos na ndani kaq prerë more burra në meshkuj mënjanë e femra mënjanë! Po vazhduat kështu si do t’i bëhet me “revolucionin seksual” ende të papërfunduar? Në Francë, në vendin koleg tonin në BE, brenda pak vitesh, këtë fenomen e kujtojnë ende si një ndër arritjet më të mëdha kombëtare e jo vetëm.
Top Channel