Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se është e gatshme
të takohet me homologun serb Tomisllav Nikoliç vetëm si presidentë të dy
shteteve të pavarura.

“Ne, si liderët legjitimë të shteteve tona, mund të bisedojmë dhe përmes këtyre bisedimeve duhet të gjejmë zgjidhje të forta e të qëndrueshme, për të siguruar stabilitetin në rajon e më gjerë”, ka thënë Jahjaga për të përditshmen “Dnevnik”.

Kryetarja e shtetit, të cilës javën e kaluar gjykata i siguroi mandatin 5-vjeçar, ka shprehur gjithashtu dëshirën që liderët e rinj të Serbisë të pranojnë realitetin e ri në Kosovë dhe që si dy shtete fqinje të vendosin raporte diplomatike e të bashkëpunojnë.

Nga ana tjetër, zonja Jahjaga ka vlerësuar se marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Brukseli nuk po zbatohen nga Beogradi, i cili sipas saj po i zvarrit ato.

Ndërsa përsa u përket raundeve të ardhshme të dialogut, presidentja ka nënvizuar se në to do të diskutohet për dëmet e luftës, personat e pagjetur dhe proçeset për krimet e luftës.

Më tej ajo ka përjashtuar në mënyrë kategorike opsionin e serbëve të veriut për ndarjen e Kosovës, duke theksuar se, “shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve nuk do të thotë se çdo komunë dhe çdo fshat ka të drejtë për vetëvendosje dhe shkëputje”.

Gjithashtu, ajo ka shprehur besimin se Kosova së shpejti do të plotësojë të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit, të cilat janë thelbësore që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza.

Top Channel