Annan: Dialog konstruktiv me Assad

09/07/2012 00:00

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Annan ka deklaruar
se ka pasur bisedime “të sinqerta dhe konstruktive” me presidentin
Bashar al Assad në Damask.

Pas takimit, Annan u ka thënë gazetarëve se me Assad kishin rënë dakord për një përpjekje për t’i dhënë fund dhunës dhe këtë mesazh ai do t’ua transmetonte edhe rebelëve.

Në një intervistë të publikuar të shtunën, Annan tha për gazetën franceze “Le Monde” se plani i paqes për Sirinë deri më sot ka dështuar në frenimin e gjakderdhjes.

Një ditë më herët ai i rekomandoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së se, në vend të mbikëqyrjes së armëpushimit në Siri duhet të fokusohet tek ndërmjetësimi politik. Ndërsa një javë më parë, një takim i fuqive të mëdha bëri thirrje për një qeveri tranzitore në Siri.

Nga ana e tij, Assad ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të destabilizojnë Sirinë duke u ofruar mbrojtje politike “bandave të armatosura” në vendin e tij.

Korrespondenti i BBC, Jim Muir në Liban komentoi më herët se pas përpjekjeve të dështuara për të hapur rrugën për një dialog politik, theksi po vihet në arritjen sa më parë të një zgjidhjeje politike.

“Por zoti Annan ka në rrugën e tij përpjekjen e vështirë për të kapërcyer rrethin vicioz të fajit dhe inkriminimit mes regjimit dhe kundërshtarëve të tij”, shtoi korrespondenti.

Top Channel