Zgjedhjet e para demokratike në Libi

08/07/2012 17:10

Aleanca e Forcave Kombëtare, koalicioni i udhëhequr nga ish-kreu i Këshillit të Tranzicionit, Mahmud Xhibril deklaroi avantazhin në qytetet e mëdha, Tripoli dhe Bengazi, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të para parlamentare në Libi, të parat prej ardhjes së Muamar Gedafit në pushtet, në vitin 1969.

Analistët thonë se rezultati përfundimtar nuk mund të parashikohet lehtë, për specifikën e këtyre zgjedhjeve apo dhe pjesëmarrjen e 3700 kandidatëve dhe mbi 100 partive politike.

Beteja kryesore është mes të moderuave, të përfaqësuar nga koalicioni i Xhibril, islamikëve, të përfaqësuar nga Partia e Drejtësisë dhe Rindertimit e “Vllazërisë Muslimane” dhe Al Vatanit, me në krye ish-kreun ushtarak Abdel Hakim Belhaxhi.

Procesi nisi vonë në disa qytete ku persona të armatosur u shfaqën në disa zona në lindje të Libisë, si Ras Lanuf, Brega dhe Axhidabija, ku një person u qëllua për vdekje në një qendër votimi. Por pavarësisht këtyre incidenteve, zyrtarët thanë se votimi u zhvillua në mbi 98% të qendrave të votimit të shtunën.

Shumë persona në lindje të Libisë janë të shqetësuar se zona e pasur me naftë do të ketë një përfaqësim të ulët, me 60 deputetë, ndërsa qytetet perëndimore 100 dhe ato në jug 40.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama i cilësoi këto zgjedhje një gur në themelin e tranzicionit libian drejt demokroacisë. Zyrtarët libianë thonë se rezultatet zyrtare do të publikohen më 11 korrik.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 60% ose 1.6 milione libianë votuan nga 2.9 milionë. Asambleja me 200 anëtarë do të zgjedhë qeverinë dhe kryeministrin.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u zhvilluan fill pas pavarësisë së Libisë në 1952. Votimet e tjera në rang kombëtar u bënë në 1965, por u ndaluan partitë politike.

Top Channel