Megjithëse të pranishmit në samitin e Kroacisë e panë shtrëngimin e duarve mes kryministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-presidentit serb Boris Tadiç si historik, ky i fundit u përpoq ta zvogëlonte me zhveshjen nga postet zyrtare.

“Ishte diçka e mirë që u takuam pas gjithë atyre viteve me negociata për Kosovën dhe Metohinë. Është gjë e mirë që unë dhe anëtarë të tjerë të politikës serbe jemi në samitin e Kroacisë sepse nuk është në interesin tonë të mos marrim pjesë në evenimentet rajonale. Megjithatë fakti që Kosova merr pjesë në takime të tilla është një problem i madh për Serbinë sepse Kosova është çështje kyçe. Si ish-president nuk kam më asnjë pengesë sepse nuk jam zyrtar shteti”, u shpreh Tadiç.

Për kryeministrin Thaçi, pjesëmarrja e Tadiçit në samitin ku Kosova prezantohej si shtet është një hap i madh në pranimin e realitetit të ri në Kosovë nga shteti serb. Ai u shpreh i gatshëm të marrë pjesë në çdo konferencë ku Kosova prezantohet si shtet në këto konferenca që nxisin bashkëpunimin rajonal.

Media kishte spekulluar jo pak se Tadiç ndodhej në Dubrovnik, në samitin për shtet-ndërtimin dhe eksperiencën në BE, për tu takuar me Thaçin që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të 2008-s. Dy politikanët shtrënguan duart, shkëmbyen disa fjalë në fund të samitit dhe për diplomatët kjo ishte shenjë progresi. Beogradi zyrtar qëndroi larg takimit ku merrte pjesë Kosova.

Në këtë samit mori pjesë edhe zëvendës-sekretari i shtetit, Filip Gordon, i cili ndodhej për një vizitë në rajon në kuadër të së cilës pritet të qëndrojë edhe në Kosovë.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës: “As ne dhe as BE nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë, por Serbia duhet të nisë të kuptojë se Kosova është një vend demokratik, Sovran, i pavarur e shumëetnik brenda kufijve aktualë. Ndarja nuk është mundësi.”

Tadiç, i cili humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe përballë Tomisllav Nikoliç, vendosi të merrte pjesë në samitin ku merrnin pjesë 7 kryeministra e ministra të jashtëm nga vende të rajonit e BE-së. Partia Demokratike e Tadiçit është aktualisht në pushtet derisa koalicioni i Nikoliçit me Partinë Socialiste të konfirmohet në Parlament në mes të korrikut.

BE e shpalli Serbinë kandidat zyrtar për anëtarësim në muajin mars, por duhet të shënohet progress kryesisht në marrëdhëniet me Kosovën.

Top Channel