Merkel: Koha për bashkim politik të Europës

08/07/2012 13:40

Më 8 korrik të vitit 1962, disa vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, presidenti francez i asaj kohe, Charles De Gaulle dhe kancelari gjerman,Konrad Adenauer u takuan në Reims ku hodhën bazat e miqësisë franko-gjermane, pas luftës së përgjakshme dhe viteve të ftohta që pasuan.

E sot, 50 vjet më vonë, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande kujtuan ditën e miqësisë së dy vendeve. Merkel dhe Hollande mbërritën në katedralen Notre Dame De Reims të përshëndetur nga qindra-mijëra persona që mbanin në duar flamuj francezë, gjermanë dhe atë të Bashkimit Europian.

Përkujtimi i 50-vjetorit të miqësisë franko-gjermane është në një kohë aspak të mirë për Bashkimin Europian, mes krizës së Eurozonës dhe përcarjeve se si mund të dilet prej saj.

Kancelarja gjermane, pasi vlerësoi marrëdhëniet mes Berlinit dhe Parisit tha se bashkimi nëpërmjet monedhës së përbashkët nuk është i fortë sa duhet, ndaj ka ardhur kohë për një bashkim politik të Europës.

“Europa mund të nxjerrë mësime nga kjo krizë dhe të dalë më e fortë vetëm nëse e kemi të qartë në mendjet tona që për të arritur këtu duhet të jemi të bashkuar”, tha Merkel.

Kancelarja vlerësoi miqësinë mes Francës dhe Gjermanisë duke e quajtur atë një “trashëgimi e vyer”.

Top Channel