Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç kanë shtrënguar duart në Dubrovnik, në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare “Samiti i Kroacisë 2012”.

Më pas pranë tyre ka ardhur edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha, që ka shtrënguar duart dhe ka marrë pjesë në këtë takim kortezie.

Në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, Tadiç ka vlerësuar se, përshëndetja me Thaçin nuk ka një domethënie historike, por simbolike, pasi dy vendet kanë një sërë problemesh që duhet të zgjidhin.

“Shtrëngimi i duarve me kryeministrin e Kosovës nuk ka ndonjë rëndësi historike, por është mirë që përfaqësuesit e dy vendeve të ndryshme të takohen, qofshin shqiptarë apo serbë”, ka deklaruar Tadiç.

Gjithësesi, për shkak të pranisë së Thaçit, asnjë zyrtar serb nuk po merr pjesë në këtë samit, një tjetër tregues ky se marrëveshja e arritur për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale nuk po respektohet nga Beogradi.

Përshëndetja mes Tadiç dhe Thaçit u paralajmërua më herët nga gazeta kroate “Veçernji List”, e cila në edicionin e saj online shkruante se: “Takimi të cilin Tadiç vazhdimisht e ka shmangur kur ishte president do ndodhë sot”.

Edhe pse është ish-president, Tadiçi është politikani i parë serb që është takuar me kryeministrin e Kosovës në një takim ndërkombëtar.

Sipas burimeve të së përditshmes kroate, diplomacia amerikane kishte tentuar që dje që ta bindte Tadiç që të ishte në Dubrovnik që në ditën e parë të Samitit, por kjo nuk ndodhi.

Top Channel