Spanjë, 5 të plagosur në vrapimin e demave

07/07/2012 21:35

Vrapimi i përvitshëm i demave në Pamplona të Spanjës shënoi 5 plagosje që në çeljen e festivalit të San Ferminit. Njërit prej tyre, një vendasi 73-vjecar, brirët e një demi i përshkuan këmbën e djathtë.

Nuk ka qenë aq entuziazmuese kjo ditë as për një 21-vjecar nga Japonia, të cilin kafshët e egërsuara e tërhoqën zvarrë për disa metra.

Një tjetër person përfundoi në spital, një 26-vjecar australian, që pësoi dëmtime të rënda në gju. Të paktën 72 vetë u trajtuan në vendngjarje nga ekipet e ndihmës së shpejtë për plagë më të lehta.

15 vdekje e mijëra lëndimë janë regjistruar deri më sot gjatë festivalit tradicional, të dhënat zyrtare të të cilit mbahen që prej 1924-ës, por rrënjët i ka të paktën 400-vjecare.

Ernest Hemingway shkroi për të në 1920-ën në romanin “Dhe Dielli Lind”, cka shtoi popullaritetin e këtij evenimenti, e njerëzit që atëherë vërshojnë nga e gjithë bota për festivalin e veçantë.

Fundjavat janë ato që sjellin edhe numrin më të madh të turistëve dhe popullsia e Pamplonës, thote CNN, rritet deri në tre herë.

Muzika, kërcimi dhe pijet alkolike shtojnë atmosferën e haresë duke e kthyer San Ferminin në një festë gjigande rruge. Festivali zgjat deri në14 korrik.

Top Channel