Libianët, vota e parë pas 60 vjetësh

07/07/2012 00:00

Libianët po hedhin votën e tyre në të parat zgjedhje të lira e shumëpartiake në vend pas pothuajse 60 vjetësh. Një moment historik është konsideruar ky nga mediat botërore.

Tre milionë vetë janë regjistruar në votime. Ata do të zgjedhin mes 1 mijë e 400 kandidatëve për Kuvendin Kombëtar 200-anëtarësh, i cili do të formojë një qeveri të përkohshme dhe do të hartojë Kushtetutën, duke caktuar më pas zgjedhje të tjera për vitin e ardhshëm.

Megjithatë, entuziazmin e kësaj dite e kanë zbehur disi njoftimet për episode dhune dhe ndasi të thella rajonale. Një punjonjës zgjedhor vdiq në vigjilje të votimit kur persona të armatosur sulmuan një helikopter pranë Bengazit. Akte sabotimi, si djegie votash e probleme nga më të ndryshmet janë raportuar deri tani.

Në lindje të vendit, shumë druhen se rajoni i pasur me naftë nuk do të përfaqësohet siç duhet në asamblenë e re. Vetëm 60 vende i janë caktuar atij nga 200 që ka Parlamenti.

Sipas sistemit të përcaktuar nga Këshilli Kombëtar i Tranzicionit, organizmi që drejtoi fushatën kundër Gaddafi-t, 100 vende i janë caktuar perëndimit dhe 40 jugut.

Pavarësisht problemeve, radhët e njerëzve përpara qendrave të votimit për ato që janë edhe zgjedhjet e para post-Gaddafi ishin të gjata.

Më shumë se 140 parti dhe fraksione të vogla, si dhe qindra kandidatë të pavarur zhvilluan fushatë për këto zgjedhje. Islamikët priten të dalin mirë, ashtu si edhe një grup zyrtarësh laikë, që morën pjesë në tranzicionin e vitit të kaluar.

Por libianë të të gjitha sferave të jetës mendojnë se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, vendi do të marrë për çdo rast një rrugë të moderuar.

Top Channel