Dy serbë, burrë e grua, janë vrarë me armë zjarri nga persona të paidentifikuar në banesën e tyre në Talinovc, një fshat në jug-lindje të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë lokale, i cili ka deklaruar se çifti është gjetur i vdekur nga një fqinj mbrëmjen e së premtes dhe se për momentin nuk dihen motivet.

Milovan dhe Ljiljana Jeftiç pak vite më parë ishin kthyer për të jetuar në banesën e tyre, prej nga ishin arratisur gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Pas këtij lajmi kanë reaguar drejtues të shtetit të Kosovës, përkatësisht presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Presidentja Jahjaga ka shprehur indinjatën e saj të thellë dhe ka dënuar vrasjen, të cilën e vlerëson si një akt kriminal të patolerueshëm e në kundërshtim me vlerat që po ndërton Kosova.

“Institucionet e vendit janë të përkushtuara që të ndihmojnë dhe të garantojnë çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të kthehen në shtëpitë e veta si realizim i një të drejte themelore të njeriut”, thuhet në reagimin e presidentes, e cila kërkon nga organet e rendit që të zbardhin rastin dhe që autorët të vihen para drejtësisë.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi në reagimin e tij shkruan se: “Aktet e dhunës, pa marrë parasysh motivet dhe aktorët, dëmtojnë angazhimet tona. Ndaj dhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që të zbardhet rasti dhe aktorët të vihen para drejtësisë. Dhuna dhe pasiguria nuk do të kenë perspektivë në shtetin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ndërkaq, kryekuvendari Jakup Krasniqi shkruan se: “Akte të tilla kriminale janë të dënueshme, të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit të vendit”, ndërsa kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë që ta zbardhin rastin dhe që autorët sa më parë  të marrin dënimin e merituar. 

Top Channel