Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vendos të qëndrojë në postin e të parës së shtetit me mandat të plotë, ashtu siç vendosi një ditë më parë Gjykata Kushtetutese e Kosovës.

Në reagimin e Presidencës pas vendimit të gjykatës thuhet: “Është ky vendim përfundimtar në këtë çështje i autoritetit më të lartë kompetent e të pavarur të vendit, të cilin unë si Presidente, me mandat që të mbroj ligjin dhe Kushtetutën, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e vendit, jam e detyruar ta zbatoj”.

Diçka e tillë është në kundërshtim me marrëveshjen e tre liderëve Thaçi-Mustafa-Pacolli, të cilët për të kapërcyer krizën politike pas shkarkimit të Pacollit u pajtuan të sillnin Jahjagën në krye të shtetit.

Marrëveshja parasheh që mandati i saj të përfundojë në vitin 2013. Por presidentja Jahjaga, duke kujtuar se nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes politike, por rezultat i saj shkruan se:

“Zgjedhja ime me votimin në Kuvendin e Republikës se Kosovës, me të cilën zgjedhje u kapërcye kriza, u bë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën”.

Ashtu siç kanë dëshmuar konsultimet e Kuvendit të Kosovës, ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës gëzojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, “dhe ne si liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike jemi të detyruar ta dëgjojmë zërin e qytetarëve tanë”.

Më tej në reagimin e saj, Jahjaga inkurajon të gjitha partitë të përfaqësuara në Kuvend që të jetësojnë reformat e aprovuara nga Gjykata Kushtetuese.

Top Channel