Ekspertët në Kosovë komentojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin presidencial të Atifete Jahjagës.

Juristi Dastid Pallaska ka qenë pjesë e hartimit të letrës së presidentes drejtuar gjykatës lidhur me mandatin. Ai i jep të drejtë Kushtetueses dhe shpjegon arsyet për këtë.

“Nëse mandati do të shkurtohej para kohe, pasi e drejta për t’u zgjedhur është ushtruar atëherë, kjo paraqet shkelje të së drejtës për t’u zgjedhur. Përveç kësaj, ky amendament ka pasur një karakter indivdiual për arsye se ka shënjestuar një rezultat të caktuar dhe është shënuar të prodhojë vetëm një rezultat të mundshëm të paragjykuar. Dhe me këtë rast i është cënuar presidentes e drejta e barazisë para ligjit për arsye se të gjithë personat duhet të trajtohen të barabartë dhe është e ndaluar që një person të dallohet në mënyrën që vetëm për një person të hartohet një dispozitë ligjore”, deklaron Pallaska.

Përtej kësaj Pallaska vlerëson se hyrja në fuqi e amendamentit 10-të do t’i dëmtonte të gjithë bartësit e funksioneve publike në të ardhmen.

“Shkarkimi eventual i Jahjagës nëpërmjet këtij amendamenti do të ishte efekti më i vogël për nga rëndësia që do të prodhonte ky amendament, sepse në të ardhmen do të mund të aplikohej ndaj bartësve të funksioneve publike, dhe unë si jurist brengën kryesore e kam pasur me mënyrën se si kjo praktikë do të mund të aplikohej në sistemin e drejtësisë, ku bartësve të funksioneve publike do të mund t’iu shkurtoheshin mandatet në mënyrë retroaktive”, nënvizon Pallaska.

Sa i përket treshes politike Thaçi-Mustafa-Pacolli, të cilët e kanë prodhuar gjithë këtë situatë, i vetmi që e ka mirëpritur vendimin e gjykatës është kryeministri Hashim Thaçi. LDK-ja nuk ka reaguar me arsyetimin se nuk e ka parë arsyetimin e gjykatës.

Ndërkohë që AKR-ja e Pacollit kërkon respektimin e marrëveshjes politike pavarësisht vendimit të gjykatës. Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje, e cila ka kundërshtuar mënyrën e ardhjes së Atifete Jahjagës në pushtet, sot e vlerëson si të drejtë vendimin e gjykatës.

Vendimi i Gjykatës Kushteutese për vazhdimin e mandatit të presidentes Jahjaga është mirëpritur nga ambasadori amerikan Christopher Dell dhe nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Top Channel