Afganistani, “aleat madhor” i SHBA

07/07/2012 16:10

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Afganistanit statusin e “aleatit madhor”, që u jepet vendeve që nuk janë anëtare të NATO-s.

Dhënia e këtij statusi, të cilin e kanë marrë më parë Australia, Egjipti dhe Izraeli, siguron një partneritet të zgjedhur në tregtinë e armëve dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Njoftimi u bë nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton gjatë një vizite surprizë në Afganistan.

Vlerësimi vjen në prag të konferencës së donatorëve që do të mbahet në Japoni dhe që do të diskutojë pikërisht për ndihmat që duhet t’i jepen Kabulit pasi trupat e NATO-s të lënë vendin në vitin 2014.

Pjesëmarrësit në takimin e së dielës në Tokio pritet që të bien dakord për një shumë prej 4 miliardë dollarësh në vit investime për Afganistanin.

Por banka qendrore e këtij vendi thotë se duhen më shumë se 4 miliardë dollarë në vit, pasi pjesa dërrmuese e kësaj shume do të shkojë vetëm për forcat e sigurisë.

Një zyrtar britanik, i pranishëm në Tokio për konferencën, e cilësoi projektin për të ndihmuar financiarisht Kabulin si një sfidë të papreçedent.

Nga ana tjetër, donatorët e mbledhur në kryeqytetin japonez pritet të kërkojnë garanci nga qeveria afgane për qeverisje të mirë dhe transparencë.

Top Channel