“S’ka gjyq të drejtë” për Saif al Islam

06/07/2012 17:15

Një avokat i Gjykatës Ndërkombëtare Penale që u arrestua në Libi ka deklaruar se i biri i Muammar Gaddafi-t nuk do të ketë një gjyq korrekt në Libi.

Melinda Taylor i bëri këto komente pak ditë pasi u lirua nga burgimi pasi u takua me Saif al Islam në qytetin e Zintanit.

Ajo tha se është e pamundur që 40-vjeçari të gjykohet në mënyrë “të pavarur dhe të paanshme” në vendin e tij të lindjes.

Saif al Islam Gaddafi është akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit, por autoritetet libiane kanë insistuar që ai të gjykohet në shtëpi dhe jo në Hagë.

Zonja Taylor ishte liruar të hënën pasi ishte ndaluar për më shumë se tre javë në Libi nën dyshimin e spiunimit, bashkë me tre kolegë të tjerë.

Duke folur në një konferencë për shtyp ditën e premte, ajo tha se veprimet e saj në Libi ishin në përputhje me detyrimet e saj ligjore, në kuadër të rregullave të GJNP.

“Pavarësisht ndonjë çështjeje që ka të bëjë me veprimet e mia, të drejtat e klientit tim Saif al Islam janë paragjykuar gjatë vizitës sime”, tha avokatja.

Ajo shtoi se ngjarjet e fundit kanë nënvizuar tërësisht se do të jetë e pamundur për të birin e diktatorit që të gjykohet në mënyrë të pavarur e të paanshme në gjykatat libiane.

Top Channel