Rusi, mbështetet ligji për OJQ-të e huaja

06/07/2012 17:35

Parlamenti i Rusisë i ka dhënë një mbështetje fillestare një projekt/ligji që u kërkon organizatave joqeveritare që angazhohen në aktivitete politike dhe që marrin fonde të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

Kremlini thotë se pr/ligji nevojitet për të mbrojtur Rusinë nga përpjekjet e jashtme për të influencuar politikat e brendshme, por kritikët thonë se autoritetet po e përdorin atë për të goditur disidentët.

Në kuadër këtij ligji, OJQ-të e financuara nga jashtë, të përfshira në politikë, do të duhet t’u nënshtrohen auditeve financiare dy herë në vit dhe të raportojnë për aktivitetet e tyre.

Dështimi në plotësimin e këtyre kërkesave do t’i ndëshkojë OJQ-të me gjoba të rënda dhe madje me të paktën 2 vjet burgim të drejtuesve të tyre.

Ditën e premte projekt/ligji kaloi në parim me 323 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Që ai të kthehet në ligj duhen edhe dy seanca të tjera dhe më pas aprovimi nga dhoma e lartë, Këshilli Federativ, dhe presidenti Vladimir Putin.

Shefi i këshillit presidencial për të drejtat e njeriut, Mikhail Fedotov ka kërkuar nga Duma që debati të shtyhet, duke thënë se më parë për pr/ligjin në fjalë duhet të ketë diskutime të gjera me opinionin publik.

Partia Rusia e Bashkuar e presidentit Putin, që u kthye në avokate të pr/ligjit, deklaron se qeveritë e huaja po përdorin OJQ-të në Rusi si kamuflim për të ndikuar tek ndryshimet politike.

Top Channel