Rumani, Basescu pezullohet nga detyra

06/07/2012 21:10

Parlamenti i Rumanisë ka votuar për pezullimin e përkohshëm të presidentit të vendit, kanë bërë të ditur burime qeveritare zyrtare.

Traian Basescu është pezulluar për 30 ditë, kohë gjatë së cilës do të mbahet një referendum për shkarkimin ose jo të tij nga detyra.

Ai është pezulluar në bazë të të dhënave se kishte tejkaluar autoritetin e tij duke ndërhyrë në punët e qeverisë dhe në çështje ligjore.

Zoti Basescu, që mban postin e kreut të shtetit që prej vitit 2004, është përplasur me kryeministrin e vendit, Victor Ponta.

Zoti Ponta, që drejton Unionin Social-Liberal, ndodhet nga ana tjetër nën presion për dorëheqje për shkak të dyshimeve për plagjiaturë.

Votimi u mbajt pasditen e së premtes pasi Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësimin e tij për respektimin e ligjit në vend.

Konflikti politik mes presidentit dhe kryeministrit ka bllokuar vendimmarrjen për një sërë proçesesh në Rumani, në një kohë kur vendi po finalizon marrëveshjet për një ndihmë financiare të mbështetur nga FMN.

Zoti Basescu ka akuzuar zotin Ponta se është përpjekur të ndërhyjë në shtetin ligjor dhe institucionet ligjore të Rumanisë, me qëllim sigurimin e diktatit të tij.

Top Channel