“Rrëzimi i Assad i pashmangshëm”

06/07/2012 23:10

Dezertimi i gjeneralit sirian, Manaf Tlas, komandant i Gardës Republikane, ishte kryefjala e takimit të “Miqve të Sirisë”, në Paris, ku merrnin pjesë përfaqësues të më shumë se 100 vendeve.

I pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmod Panariti.

Miqtë e Sirisë kërkuan sanksione kundër regjimit të Damaskut dhe ndihma konkrete për popullsinë. Rusia dhe Kina, që i vendosën veto rezolutave në Këshillin e Sigurimit nuk ishin të pranishëm në këtë takim me argumentin për të mos ndërhyrë në cështjet e brendshme të Sirisë.

Por për presidentin francez, “rënia e Asad është e pashmangshme”.

“Rënia e tij është e pashmangshme dhe ardhja e forcës së demokracisë do të përcaktohet nga ajo që do të vendosim bashkë, sa më shpejt aq më mirë do të jetë”, deklaroi Hollande.

Ai propozoi një plan pesë pikësh, që sipas tij, do të zgjidhë situatën në Siri.

5 pikat e Hollande për krizën në Siri:

1. Krimet e regjimit të mos mbeten të pandëshkuar, përgjegjësit të dalin përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
2. Forcimi i sanksioneve për përgjegjësit e masakrave.
3. Shtimi i mbështetjes për opozitën demokratike, përmes mjeteve të komunikimit.
4. Organizimi i një sistemi ndihmash humanitare.
5. Premtimi se për të ndihmuar popullin sirian në rindërtimin e vendit.

Sekretarja Amerikane e Shtetit Hilari Klinton ripërsëriti thirrjen për vendosjen e sanksioneve, një tranzicion politik në vend dhe largimin e Asadit nga skena politike.
 
“U kërkoj të zgjateni deri tek Rusia dhe Kina, jo vetëm t’u bëni thirrje por t’i kërkoni të heqin dorë nga anëshmëria dhe të nisin mbështetjen për aspiratat legjitime të popullit sirian”, tha Klinton.

Klintoni duke iu referuar Kinës dhe Rusisë tha se të dy vendet do të paguajnë një cmim. Termi i përdorur nxiti reagimin e shpejtë të Moskës.

Zv/ministri i Jashtëm, Genadi Gatilov e quajti jo në të njëjtën linjë me atë të “Grupit të Veprimit”, që u zhvillua të shtunën e kaluar në Gjenevë të Zvicrës.

Gjeneral Brigade, Tlas, rreth të 40-ave që kishte kryer shërbimin ushtarak me Asadin i përket rrethit të ngushtë të presidentit sirian. Vjen nga një familje sunite. Ai u largua përmes Turqisë. I ati, ish-ministri i Mbrojtjes Mustafa Tias jeton në Francë.

Prej Marsit të 2001, gjenerali Tlas ishte në formën e një “arresti shtëpie” në Siri, pasi kundërshtoi zgjidhjen e qeverisë për sigurinë në vend.

Një prej drejtuesve të Këshillit Kombëtar Sirian, Hasani Al Hashimi kritikoi takimin e Parisit, duke nënvizuar se duhen më shumë vepra dhe jo fjalë për të zgjidhur krizën në Siri.

Diplomatët e Kombeve të Bashkuara po punojnë për një dokument, përmes të cilit, do të kërkohen kufizime mbi aktivitetin tregtar, nëse Asad nuk i bindet planit për armëpushim dhe atij për tranzicionin politik, të paraqitura nga i dërguari special i Kombeve te Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Anan.

Sipas aktivistëve konflikti në Siri, që zgjat prej Marsit të vitit të kaluar numëron mbi 15 mijë viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA