Rishikimi i historisë, pro dhe kundër

06/07/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha në këto ditë të nxehta vere, e hodhi sërish idenë dhe vëmendjen drejt historisë dhe rishkrimit të saj.

Kreu i qeverisë mendon se shumë figura të rëndësishme në luftën nacional-cirimtare janë mbivlerësuar dhe disa të tjerë janë lënë në harresë.

Por historia shkruhet nga historianët dhe studiuesit ndajnë mendime të ndryshme, mbi këtë deklaratë të kreut të qeverisë. Profesorët Beqir Meta  dhe Pëllumb Xhufi tregojnë pikëpamjet e tyre.

“Rishikimin e historisë e bën shoqëria dhe një grup specialistësh, ekspertësh që merren me historinë. Janë marrë deri më tani 700 mijë faqe nga arkivat e huaja, europiane dhe amerikane që ne s’i kemi patur. Këto sigurisht që sjellin nxitje dhe shtytje për të rishkruar historinë”, thotë historiani Beqi Meta.

“Për herë të parë publikisht ai njohu vlerën e luftës nacional-clirimtare, të cilën që në vitin 1992 me tentativat për heqjen e ditës së clirimit, që ishte vetëm mbulesa, kërkoi që këtë luftë ta kalonte jo si një faqe të shkëlqyer të historisë së Shqipërisë”, thotë historiani  Pëllumb Xhufi.

Historia është gjithnjë një proces në rishkrim. Ne e kemi bërë që pas ‘90 dhe po e bëjmë edhe sot, thotë zoti Meta. Shumë figura janë riparë, por kjo bëhet nga historianë e studiues.

“Unë e marr deklaratën e kryeministrit si një artikulues i këtij opinion shoqëror. Historiagrafia nuk merr më direktia nga politika, kjo kohë ka kaluar. Në demokraci respektohet liria akademike dhe pikëpamjet e historianëve janë të lira, pikëpamje që ua sugjerojnë metodat e tyre të kërkimit, burimet historike etj etj”, deklaron zoti Meta.  

Politika s’duhet të ndërhyjë në histori. Shumë tekste janë riparë dhe historia po mësohet gabim nga fëmijët, thotë zoti Xhufi.  Kryeministri vlerësoi më në fund luftën nacional-çlirimtare por s’mund të vlerësoje rolin e Britanisë së Madhe….

“Nuk është fare e drejtë që kryeministri nuk hedh dritë të plotë ne rolin e anglezëve gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri, sepse anglezët për fat të keq, Churchill, që në vitin 1942 me deklaratën ku njohën luftën nacional-clirimtare të popullit shqiptar tha dicka që i shqetësoi të gjithë, qoftë nacionalistë, qoftë komunistë, tha që kufijtë shqiptarë do rishikoheshin pas luftës duke paralajmëruar copëtimin e Shqipërisë. Këtë e dinte shumë mirë Mithat Frashëri, që ka shkruar për këtë problem me pakënaqësi të madhe ndaj anglezëve”, thotë Xhufi.

“Kam analizuar gjërësisht për herë të parë të gjithë politikën britanike ndaj Shqipërisë gjatë luftës botërore dhe pas saj dhe impaktin që ka patur kjo politikë. Ka patur anët e saj pozitive, por edhe anët e saj negative. Kjo politikë ka ndikuar negativisht në shumë drejtime në atë kohë pasi ishte e fokusuar në mbështetjen e nacionalizmit grek. Në një moment të caktuar luajti rol pozitiv, por kjo s’do të thotë që ka qenë pozitiv gjithë kohës. Ne nuk themi që jemi kriteri i së vërtetës, por përpiqemi për të arritur atë me kërkime sa më serioze dhe e dyta është e rëndësishme që ne të nxjerrim mësime nga e kaluara.

Por a ka nevojë vërtet historia për të riparë rolin e shumë figurave të rëndësishme të historisë dhe a janë riparë ato?

“Nëse ai e ka me të vërtetë cështjen e Qemal Stafës u do t’i thoja kryeministrit që e ka shumë gabim dhe meqë kërkon balancime le të nxjerrë një personazh si Qemal Stafa nga rradhët e Ballit, të Legalitetit të nacionalistëve në thojza! Le të nxjerrë një djalë të ri, 20 vjec, të edukuar, idealist dhe që luftoi e ra me armë në dorë! Kam bindjen që aty nuk mësohet historia e vërtetë. Unë kam bindjen që kërkohet t’u jepet kredi politike atyre forcave të cilat kanë luajtur një rol krejt ndryshe nga cfarë mundohen ta paraqesin. S’kanë qenë nacionalistë dhe as patriotikë, madje kanë bërë kompromise”, thotë Xhufi.

Debati për rishikimin e historisë është rikthyer në qendër të vëmendjes disa herë nga kreu i qeverisë shqiptare.

Top Channel