Obama: Po krijojmë vende pune, por…

06/07/2012 18:20

“Vazhdojmë të krijojmë vende të reja pune prej 28 muaj rresht. Por nuk mund të jemi të kënaqur pasi objektivi ynë është kthimi në situatën e vitit 2008”.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama në një tubim në Ohajo, ku ka komentuar të dhënat e fundit mbi papunësinë në Shtetet e Bashkuara.

Muajin e kaluar Obama deklaroi gjithashtu se, ekonomia amerikane ishte kthyer tek rritja pas krizës më të keqe ekonomike që nga koha e Depresionit të Madh, por nuk po rritet mjaftueshëm.

Obama vuri në dukje ngadalësinë e krijimit të vendeve të reja të punës dhe nënvizoi se ekonomia amerikane po ecte në drejtim të kundërt të erës, duke iu referuar përballjes me rritjen e çmimit të karburanteve dhe krizën ekonomike në Evropë.

Presidenti e drejtoi gishtin pikërisht tek kontinenti i vjetër, kur deklaroi se liderët evropianë duhet të marrin vendime të vështira për të nxjerrë eurozonën nga kriza.

Zoti Obama tha se Amerika do ta mbështesë Evropën në implementimin e zgjidhjeve të vështira që duhen për t’i dhënë fund krizës së gjatë të borxheve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara vlerësoi se një reçesion i ri dhe i thellë në Evropë do të kishte një impakt të fortë tek ekonomia amerikane, që vlerësohet të jetë ende e brishtë.

Top Channel