Gjirokastër, burri xheloz plagos 4 persona

06/07/2012 00:00

Një grindje banale, e nxitur nga xhelozia, ka përfunduar me plagosjen e katër personave nga fshati Asim Zeneli, i Gjirokastrës.

Burime nga policia bëjnë me dije se 24-vjeçari Erion Krisafi së bashku me shokun e tij Panajot Xharau, 19 vjeç, pak pas mesnatës së së të enjtes kanë shkuar në afërsi të banesës së shtetasit Rakip Hitaj, në fshatin Asim Zeneli. Ata janë pikasur nga djali i këtij të fundit, Oskeol Hitaj, 25 vjeç, i cili ka dyshuar se të rinjtë kishte shkuar për të ngacmuar bashkëshorten e tij.

Ai ka marrë një armë gjahu teke automatike, të cilën e kishte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, ku i ka plagosur lehtë në këmbë. Më pas i ka futur në banesë për t`i sqaruar, duke u marrë edhe kartën e identitetit dhe dokumentet e makinës dhe çelësat.

Pasi janë sqaruar shtetasi Oskeol Hitaj i ka lënë këta persona të iknin në këmbë pasi makinën ua mbajti peng për të sqaruar situatën ditën e nesërme për çfarë arsye këta shtetas kishin shkuar atje. Të dëmtuarit pasi janë larguar disa metra nga banesa kanë kërkuar ndihmë tek Sokol Hysi, 50 vjeç, i cili së bashku me djalin e tij shtetasin Lato Hysi, 22 vjeç, i kanë marrë të dy shtetasit e plagosur për t`i transportuar për në spital me automjetin furgon Sprinter me targa Gj 19 93 A.

Në dalje të fshatit, Oskeol Hitaj, i cili mesa duket i ka ndjekur nga pas, u ka dalë përpara me një armë zjarri automatik Kallashnikov, duke gjuajtur me breshëri në drejtim të furgonit, ku nga plumbat e kallashnikovit u plagosën përsëri në këmbë të dy shtetasit nga fshati Karjan, si dhe u plagosën edhe drejtuesi i furgonit dhe djali i tij.

Sipas policisë 19-vjeçari Panajot Xharau si dhe 50-vjeçari Sokol Hysi, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore janë transportuar për në Tiranë në Spitalin Ushtarak, për ndërhyrje më të specializuar kirurgjikale. Ndërsa dy personat e tjerë konkretisht Erion Krisafi si dhe Lato Hysi ndodhen në Spitalin Rajonal në Gjirokastër jashtë rrezikut për jetën pasi kanë marrë plagë të lehta. Nga veprimet e shpejta të policisë u bë e mundur sekuestrimi i armës së gjahut çifte, shpallja në kërkim e shtetasit Oskeol Hitaj, i cili është larguar së bashku me armën e zjarrit dhe po punohet për kapjen e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB