Vetëm disa orë para se kryeministri grek Samaras të shpallte programin e qeverisë së tij të koalicionit për aprovim në Parlament, deklarata e një prej zyrtarëve të lartë të eurozonës për agjencinë “Reuters” trondit Athinën.

Sipas burimeve nga Brukseli, Greqisë nuk do t’i jepet kësti i radhës në muajin gusht derisa programi i reformave të fillojë të futet në trajektoren e saktë të përcaktuar nga specialistët e trojkës.

Pasi të kenë marrë raportin e inspektorëve të BE-së, FMN-së dhe BQE-së, ministrat e eurogrupit në 9 korrik do të analizojnë situatën në Greqi dhe  do të vendosin për lëvrimin e këstit të radhës, kaq jetik për Greqinë që disponon para në arkat e saj deri në fund të muajit.

Edhe ministri i ri i Financave, Janis Sturnaras ka pranuar se Greqia në këto momente ka devijuar tepër ndaj programit të saj të reformave dhe se nëse nuk i futet urgjentisht rrugës së duhur, nuk mund të kërkojë lehtësime nga kreditorët.

Këmbanës së alarmit për mungesë likuiditeti i kanë rënë edhe kompanitë e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.

Mbrëmjen e së premtes filloi me një fjalim të kryeministrit Samaras debati parlamentar për programin e qeverisë së re, që do të përfundojë të dielën në mbrëmje me votëbesimin e qeverisë së koalicionit.

Si bosht i programit qeveritar, kryeministri grek deklaroi se do të jenë ndryshimet strukturore në aparatin shtetëror, reduktimet e shpenzimeve në administratën publike pa pushime të reja nga puna dhe sidomos privatizimet, me anë të të cilave pritet të mbushet arka e boshatisur e shtetit.

Top Channel