”Porsche” shndërrohet në filial të “Volkswagen”

05/07/2012 08:35

”Volkswagen” arriti një marrëveshje me kompaninë e makinave sportive “Porsche”, për blerjen e 50,1% të aksioneve, që do ta shndërrojnë këtë të fundit në një filial 100% të varur nga marka e njohur automobilistike me qendër në Volfsburg.

”VW” do të paguajë 4,46 miliardë euro për blerjen e plotë të “Porsche”, në të njëjtën kohë që do t’i ofrojë kësaj kompania një vend të përhershëm në bordin drejtues të saj.

Kompanitë ranë dakord për shkrirjen e tyre në vitin 2009 dhe në fund të 2011-s, por diçka e tillë nuk u lejua nga pengesat ligjore në Gjermani.

Megjithatë, këto pengesa u tejkaluan dhe “Volkswagen” mundi të bënte një ofertë të re, për të marrë kontrollin e plotë të “Porsche”, ku deri më sot zotëronte 49,9% të aksioneve.

Marrëveshja pritet të reduktojë kostot e prodhimit të makinave dhe të rrisë fitimet e “Volkswagen”, që synon të shndërrohet në kompaninë me te madhe automobilistike në botë, në vend të “Toyota”-s.

Gjithashtu, blerje e “Porsche” përbën edhe një mundësi për “VW” që të hyjë në tregun e makinave të luksit.

Top Channel