Itali, 300 kg marijuhanë në breg

05/07/2012 23:35

Pushuesit në plazhin publik pranë Lido Pineta në Torre San Giovanni të Leçes, në vend të guaskave, në breg të detit kanë filluar të gjejnë pako me marijuhanë.

Një pushues lajmëroi forcat e rendit kur në breg ka parë një paketë që përmbante rreth 4 kg marijuhanë.

Forcat e rendit, të cilat janë lajmëruar menjëherë, bëjnë të ditur se ka shumë mundësi që kjo të jetë një pjesë e një sasie të madhe të hedhur në det nga skafistë që mendohet se kanë ardhur nga Shqipëria.

Kjo hipotezë bazohet si në varietetin dhe mënyrën e paketimit të marijuhanës, ashtu edhe nga vendi ku është gjetur e hedhur ajo. Me sa duket rrymat detare kanë transportuar deri në breg disa pako, megjithëse këto ditë është punuar për mbledhjen e tyre.

Nga 20 qershori forcat ushtarake detare kanë sekuestruar rreth 110 qese që lundronin në det në të njëjtën zonë, gjithsej mbi 300 kg.

Një sasi e madhe u gjet pas sinjalizimit të bërë nga tre peshkatarë e më pas zona është patrulluar vazhdimisht.

Top Channel