BQE, masë e re për nxitjen e ekonomisë

05/07/2012 09:05

Banka Qëndore Europiane pritet të reduktojë normën bazë të interesit në një nivel të ri rekord gjatë ditës së enjte, konfirmuan burime brenda institucionit ditën e enjte.

Megjithatë, ndryshe nga sa kishin përfolur disa ekspertë, kjo do të jetë masa e vetme aktuale e BQE-së për nxitjen e ekonomisë.

Një normë më e ulët interesi shërben për të rritur sasine e likuiditeve (paratë që qarkullojnë në treg), duke inkurajuar kreditimin dhe dekurajuar depozitat.

Presidenti i BQE-së, Mario Draghi dhe këshilli udhëheqës i bankës do të takohen më vonë gjatë ditës në Frankfurt për të përcaktuar edhe politikën ekonomike mujore që do të ndjekin.

Lëvizja vjen një javë pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord që të ecin drejt një sistemi bankar më të qëndërzuar, nën drejtimin e BQE-së.

Aktualisht, norma bazë e interesit që Banka Qëndore Europiane u imponon bankave të nivelit të dytë është prej 1%, por ajo pritet të shkurtohet në nivelin më të ulët historik, prej vetëm 0,75%.

Në një deklaratë të mëparshme, guvernatori Draghi i kërkoi udhëheqësve europiane që të përcaktojnë sa më shpejt një qëndrim të përbashkët, sepse ndryshe institucioni që ai drejton do ta ketë shumë të vështirë të udhëheqë Eurozonën drejt daljes nga kriza më e thellë që prej krijimit të saj.

Top Channel