Australi, shpëtohen në det 162 klandestinë

05/07/2012 08:45

162 persona u shpëtuan në ujrat e Oqeanit Indian nga ana e marinës australiane, pasi një anije klandestinësh transmetoi një sinjal alarmi ditën e mërkurë.

Burime zyrtare konfirmuan se të gjithë emigrantët e jashtëligjshëm arritën të rikuperoheshin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndonëse disa prej tyre të tronditur e kishin nevojë për asistencë.

Peshkarexha e tejmbushur me klandestinë dha një sinjal alarmi ndërsa ishte duke udhëtuar pranë ujrave të ishullit të Krishtlindjeve (Christmas Island), pasi pësoi një avari.

”Në mbërritjen në ishullin e Krishtlindjeve, pasagjerët do t’i nënshtrohen kontrollove të imtësishme, fillimisht shëndetësore e më pas për verifikimin e identitetit dhe arsyeve të udhëtimit të tyre. Megjithatë, për momentin, siguria dhe jeta e të aksidentuarve mbetet një përparësi”, lexohej në një komunikatë të policisë australiane.

Ishujt e Krishtlindjeve janë një territor i veçuar nga Australia, disa qindra kilometra më në lindje dhe për shkak të afërsisë gjeografike me Indonezinë, përdoren shpesh si “trampolinë” për të mbërritur në kontinent nga ana e klandestinëve në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Top Channel