Tavo: Prokurimet e barnave do ndryshojnë

04/07/2012 00:00

Në daljen e tij të parë para mediave, pas marrjes së postit të ministrit
të Shëndetësisë, Vangjel Tavo deklaroi se sfida e tij në krye të
sektorit më jetik në vend, do të jetë zhdukja përfundimisht e zvarritjes
së tenderave të blerjes së medikamenteve në spitale.

Kjo sipas tij do të arrihet përmes prokurimeve të hapura dhe për këtë, ministri i ri i Shëndetësisë thotë se ka përkrahjen e vetë kryeministrit Sali berisha.

I pyetur në lidhje me ndryshimet që do të pësojë sektori shëndetësor me drejtimin e tij, Tavo premtoi vazhdimësinë e reformave dhe zbatimin e programit qeverisës për shëndetësinë.

Ministri i ri Vangjel Tavo kërkoi mbështetjen e stafit të Ministrisë, i cili nuk pritet të pësojë ndonjë ndryshim me ikjen e ish ministrit Petrit Vasili.

Ministria e Shëndetësisë është dikasteri më i vështirë e problematik dhe në 7 vjet qeverisje të demokratëve ka ndryshuar 7 drejtues të saj.

Pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme në 2005, në krye të saj demokratët sollën maksim cikulin por dy vjet më pas, ai u zëvendësua nga Nard Ndoka. Që nga viti 2007 e deri më sot, posti i minisrit të Shëndetësisë i është dhënë aleatëve në koalicionin qeverisës dhe Vangjel Tavo është ministri i katërt që vjen nga aleatët.

Top Channel