Në seancën e tretë gjyqësore, 27-vjecari Armando Kasaj, ish-shefi i IT në kryeministri ka kërkuar gjykim të shkurtuar duke shmangur kështu debatin gjyqesor e duke pranuar gjykimin në gjendjen që janë fashikujt e hetimit.

Për kërkesën e tij ishte dakord edhe prokuroria dhe gjykata, cka do të thotë se në përfundim të gjykimit pasi prokurori dhe avokati të lexojë konkluzionet, duke përfituar uljen e një të tretës së dënimit në rast se gjykata e gjen atë fajtor.

E drejta për të kërkuar gjykimin e shkurtuar, sipas ndryshimeve në Kodin Penal nuk do të thotë që i akuzuari e pranon fajin, por shihet si  gjykim i posaçëm  dhe e drejtë e të pandehurit në favor të ekonomisë gjyqësore.

Ndërkohë në të njëjtën ditë në një tjetër sallë vijoi dëgjimi i dëshmitarëve nga gjykata në procesin ndaj ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ish-oficerit Agim Llupo dhe Margarit Kumes.

Dëshmitari okular në 21 Janar Ilia Papa tregoi se ishte plagosur atë ditë duke qendruar në trotuar përballë kryeministrisë në kohën kur ishte me duar në xhepa dhe kur përballë institucionit nuk kishte njerëz që po sulmonin.

“Njerëzit thonin që plumbat ishin plastikë, kujtoi dëshmitari, por unë e kuptova që ishin të vërtetë kur pashë copa mermeri që rrëzoheshin përtoke”. Por dëshmitari shtoi se nuk e pa kush e qëlloi.

Ndërkohë, gazetari Eneid Janina i cili u dhunua nga policia gjatë kësaj demostrate, shpjegoi me detaje cfarë kishte parë ditën e 21 janarit, që nga sulmi i portës nga një makinë, shpërndarja e turmës, goditja me sende të forta ndaj policisë si dhe faktin që po qëllohej me armë zjarri nga brenda kryeministrisë.

“Unë jo vetëm dëgjova krismat, tha gazetari Janina, por kam parë flakën që dukej nga tytat “.

Top Channel