Deri më 15 shtator kur dhe është koha e dorëzimit të raportit të gatishmërisë tek Komisioni Evropian, kryetaret e komunave të Kosovës detyrohen të kryejnë detyrat e tyre për procesin e liberalizimit të vizave.

Në një takim të përbashkët me kryetaret e komunave, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, kërkoi nga udhëheqësit komunale angazhim dhe përkushtim në përmbushjen e detyrimeve.

”Më lejoni t’iu informoj se të gjitha institucionet qëndrore kosovare kanë marrë udhëzimet e qarta se dështimet dhe vonesat në përmbushjen kritereve të liberalizimit do të trajtohen me seriozitet. Udhërrëfyesin ta trajtoni me përparësi në procesin tuaj të përditshëm të punës. Të gjitha defektet duhet të adresohen në mënyrë të shpejtë dhe të përshtatshme”, u shpreh Thaçi.

Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, tha se marrja e udhërrëfyesit është edhe meritë e angazhimit të pushtetit lokal, por ajo rikujtoi se kanë mbetur rreth dy muaj kohë në dorezimin e raportit të gatishmërisë.

”Nga ne kërkohet që deri më 15 shtator të dorëzojmë tek KE raportin e gatishmërisë. Ky dokument duhet t’i ofrojë KE-së informata të hollësishme të gjendjes së legjislacionit, instuticioneve përkatëse, të dhënave njerëzore dhe të dhënave e statistikave të tjera të procesit të liberalizimit”.

Ministri i pushtetit lokal, Sllobodan Petroviç tha se, procesi i decentralizimit është proces i ndërlidhur ngushtë me procesin e liberalizimit dhe integrimit të vendit.

Sipas tij ka mbetur edhe pak kohë nga nisja e punës në zyrën e qeverisë në veri. Petroviç, paralajmëroi se, funksionalizimi i zyrës në Mitrovicën e veriut do t’i hape rruge formimit të komunës së Mitrovicës ashtu siç parashihet me planin Ahtisari.

Teksa regjistrat civile ende, janë nën përgjegjësin e pushtetit lokal, ministri i Brendshëm kërkoi korrektësi në lëshimin e dokumenteve.

”Falsifikimi i vetëm i mundshëm i dokumentacionit, i emrit, mbiemrit, datëlindjes apo elementëve të tjerë mund të bëhet vetëm në zyrën e gjendjes civile. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër mundësi që të bëhet falsifikimi”, deklaroi ministri Rexhepi.

Me gjithë rëndësinë e temës së këtij takimi që kishte të bënte me detyrat rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën më shumë se 10 kryetar komunash munguan.

Top Channel