Komunikimi i gazetarëve me Qeverinë e Kosovës po bëhet gjithnjë më i vështirë, sidomos pas dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, i cili ishte i vetmi që komunikonte me gazetarët pas mbledhjeve të kabinetit qeveritar.

Përveç heshtjes, komunikimi i zyrtar me mediat vuan edhe nga mungesa e kompetencës, denoncoi të mërkurën “Kosova Press”, duke iu referuar daljes në konferencë për shtyp të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqajt.

I pyetur nëse do të shkarkohet ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila pas skandalit të çimentos, kolegu bashkëqeverisës nuk ishte në gjendje të ofronte ndonjë përgjigje. “Unë nuk jam në gjendje të emëroj ose të shkarkoj ndonjë ministër. E vetmja gjë që mund të them është se respektimi i ligjshmërisë dhe ekonomisë së tregut janë parimet themelore të Qeverisë”, ka theksuar Beqaj.

Ndërsa i pyetur për çështjen e emërimit të ministrit të Drejtësisë, pas dorëheqjes së Hajredin Kuçit, prapë Beqaj nuk ka pasur përgjigje.

”Kjo çështje i duhet adresuar kryeministrit dhe kabinetit qeveritar”, theksoi Beqaj.

Ndonëse jopraktike dhe jonormale, qeveria aktuale që prej themelimit të saj nuk ka pasur një zëdhënësit, ndërsa këtë rol e kishte kryer deri në maj ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajderin Kuçi, i dorëhequr në maj në shenjë proteste për aprovimin e një ligji kontradiktor në lidhje me mediat në Kosovë.

Top Channel