Australi, anija lëshon thirrje për ndihmë

04/07/2012 04:30

Autoriteti Detar Australian është vënë në kërkim të një anije që ka lëshuar thirrje emergjence për ndihmë nga ujërat Indoneziane.

Incidenti vjen një ditë pasi udhëheqësit e të dy vendeve u zotuan për rritur bashkëpunimin në kontrabandimin e njerëzve, pas fundosjes së dy anijeve të mbushura me azilkërkues, muajin e kaluar.

Mendohet se është një anije që transporton në bord rreth 130-180 njerëz, sipas autoriteteve Australiane.

Anija ndodhej midis Ishullit të Krishtlindjeve dhe Indonezisë në momentin kur dërgoi sinjalin.

Autoriteti Detar i Shpëtimit u ka bërë thirrje për ndihmë anijeve tregtare në afërsi, ndërsa një anije e marinës australiane ndodhet në zonë.

“Anija duket të jetë përpjekur për t’u kthyer përsëri në drejtim të brigjeve Indoneziane”, tha Ministri i Punëve të Brendshme, Jason Clare, për mediat australiane.

Ishulli i Krishtlindjeve, shtrihet jashtë bregdetit veri-perëndimor të Australisë, dhe është më afër me Indonezinë se sa me Australinë. Ai është vënë në shënjestër nga anijet me azil-kërkues, të cilat zakonisht lundrojnë të tej-mbushura me njerëz, dhe janë të një niveli të dobët sigurie.

Dy anije të ngjashme u mbytën muajin e kaluar në të njëjtin vend, teksa rreth 17 trupa u gjetën, ndërsa 110 persona u shpëtuan. Gjithsesi mendohej se anija mbante rreth 200 pasagjerë në bord.

Pak ditë më pas një tjetër anije u mbyt, ku humbën jetën 4 persona.  

Top Channel